Instituti ATOMI certifikoi dhe shpërbleu më të suksesshmit e Garës Ndërkombëtare të Matematikës Kangaroo 2019 në Kosovë

Instituti ATOMI për herë të tretë e ka organizuar Garën Ndërkombëtare të Matematikës Kangaroo në Kosovë, e cila është mbajtur më 23 mars 2019, me autorizimin e “Asociacionit Kangourou Sans Frontières (AKSF)”. Gara Kangaroo është gara më e popullarizuar në botë për fushën e matematikës, e cila organizohet në mbi 70 vende të botës dhe çdo vit marrin pjesë mbi 6 milionë nxënës nga mbarë bota.

Në Garën Kangaroo në Kosovë këtë vit kanë marrë pjesë mbi 4 mijë nxënës të të gjitha niveleve të arsimit parauniversitar nga mbarë Kosova dhe Instituti ATOMI e ka shfrytëzuar këtë garë për të identifikuar talentet e rinj në fushën e matematikës në Kosovë, në mënyrë që të ofrojë aktivitete dhe shërbime të ndryshme përkrahëse për këto talente, posaçërisht kurse të avancuara të matematikës, në funksion të zhvillimit dhe avancimit maksimal të talentit, njohurisë dhe kompetencës së tyre në fushën e matematikës.

Në funksion të kësaj, Instituti ATOMI ka përzgjedhur 43 nxënësit më të suksesshëm të Garës Kangaroo 2019 në Kosovë, të cilët janë certifikuar sot në një ceremoni solemne, në të cilën përveç këtyre nxënësve dhe prindërve të tyre, kanë marrë pjesë edhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Shyqiri Bytyqi, Kryetari i Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës, profesor Armend Shabani, si dhe mësimdhënës, drejtorë shkollash e zyrtarë arsimorë.

Në këtë ceremoni janë ndarë certifikatat e suksesit për 43 nxënësit më të suksesshëm të kësaj gare për këtë vit, si dhe janë ndarë edhe medaljet dhe shpërblimet me libra për më të suksesshmit e Garës Kangaroo 2019 për secilën kategori dhe për më të suksesshmit në nivel vendi, si vijon:

Fituesit e vendeve të para për secilën nga 6 kategoritë e Garës Kangaroo 2019 në Kosovë:

– Fitues i Vendit të Parë për Kategorinë 1 – që përfshinë klasën I dhe II – në Garën Kangaroo 2019 në Kosovë është ENSAR DRAGUSHA.

– Fituese e Vendit të Parë për Kategorinë 2 – që përfshinë klasën III dhe IV – në Garën Kangaroo 2019 në Kosovë është DINA MALIQI.

– Fitues i Vendit të Parë për Kategorinë 3 – që përfshinë klasën V dhe VI – në Garën Kangaroo 2019 në Kosovë është ARIAN JASHARI.

– Fitues i Vendit të Parë për Kategorinë 4 – që përfshinë klasën VII dhe VIII – në Garën Kangaroo 2019 në Kosovë është ORGES AJVAZI.

– Fitues i Vendit të Parë për Kategorinë 5 – që përfshinë klasën IX dhe X – në Garën Kangaroo 2019 në Kosovë është EDON RAMADANI.

– Fitues i Vendit të Parë për Kategorinë 6 – që përfshinë klasën XI dhe XII – në Garën Kangaroo 2019 në Kosovë është DREN NEZIRI.

Fituesit e tri vendeve të para në nivel vendi për të gjitha kategoritë e Garës Kangaroo 2019 në Kosovë:

– Fitues i Vendit të Tretë në nivel vendi në të gjitha kategoritë në Garën Kangaroo 2019 në Kosovë është DREN NEZIRI.

– Fituese e Vendit të Dytë në nivel vendi në të gjitha kategoritë në Garën Kangaroo 2019 në Kosovë është DINA MALIQI.

– Fitues i Vendit të Parë në nivel vendi në të gjitha kategoritë në Garën Kangaroo 2019 në Kosovë është ARIAN JASHARI, i cili është shpërblyer edhe me një laptop dhuratë nga Instituti ATOMI dhe Gara Kangaroo.

Këtë vit është përzgjedhur edhe shkolla, e cila ka ndihmuar dhe ka kontribuuar më së shumti për organizimin e Garës Kangaroo 2019. Shkolla e përzgjedhur është shkolla Ismail Qemali nga Komuna e Prishtinës, e cila është shpërblyer me një projektor nga Instituti ATOMI dhe Gara Kangaroo.

Instituti ATOMI ju uron suksese të gjithë këtyre talenteve të matematikës në Kosovë dhe mbetet maksimalisht i përkushtuar në përmbushjen e misionit të vet për identifikimin dhe përkrahjen e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente në Kosovë.

Instituti ATOMI,
Prishtinë, më
25 maj 2019