Instituti ATOMI

Instituti Ndërkombëtar për Inteligjencë të Jashtëzakonshme ATOMI – Instituti ATOMI është organizatë jo-qeveritare e jo-fitimprurëse e llojit fondacion.

Instituti ATOMI ka për qëllim identifikimin dhe përkrahjen e personave me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente në Kosovë. Përkatësisht, qëllimi i ATOMI-t është identifikimi i hershëm i nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente, si dhe ofrimi i mundësive, kushteve, trajtimit, përkujdesjes dhe shkollimit të veçantë për këta nxënës, bazuar në potencialet e tyre intelektuale, dhuntinë, talentin, personalitetin, ambiciet, interesimet, motivacionin dhe kushtet e rrethanat reale socio-ekonomike të tyre. E gjithë kjo bëhet me qëllim që këta nxënës të kenë mundësi që ta zhvillojnë dhe realizojnë maksimalisht potencialin e tyre dhe kësisoj t’i kontribuojnë në radhë të parë zhvillimit të tyre personal dhe në të njëjtën kohë edhe interesit të gjithëmbarshëm të vendit dhe shoqërisë. Për më shumë detaje rreth Institutit ATOMI vizitoni ueb faqen zyrtare: www.atomi-ks.org

Instituti ATOMI ka aplikuar që Kosova të bëhet anëtare e “Asociacionit Kangourou Sans Frontières (AKSF)”, i cili merret me organizimin e garës më të popullarizuar në botë për fushën e matematikës “Kangaroo”. Bordi i AKSF-së e ka miratuar kërkesën e Institutit ATOMI dhe tashmë Kosova ka marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në AKSF.

Bazuar në vendimin e AKSF-së, Instituti ATOMI është autorizuar për organizimin e garës së matematikës “Kangaroo” në Kosovë për vitin 2017, nën mbikëqyrjen e Presidentit të AKSF-së. Organizimi i suksesshëm i kësaj gare në vitin e parë nën mbikëqyrje nga AKSF i siguron ATOMI-t dhe Kosovës anëtarësim të plotë si anëtare me të drejta të plota në AKSF, ku janë të anëtarësuara më shumë se 70 vende të ndryshme të botës të përfaqësuara nga organizatat respektive të autorizuara nga AKSF.

Duke filluar nga viti 2017 Instituti ATOMI do ta organizojë për çdo vit garën e matematikës “Kangaroo” edhe në Kosovë, në mënyrë që përmes këtij aktiviteti të promovohet matematika dhe rëndësia e saj në Kosovë. Gjithashtu, Instituti ATOMI do të përdorë garën e matematikës “Kangaroo” për të identifikuar talentet e rinj në fushën e matematikës në Kosovë, në mënyrë që të ofrojë aktivitete dhe shërbime të ndryshme përkrahëse për këto talente në funksion të zhvillimit dhe avancimit maksimal të talentit, njohurisë dhe kompetencës së tyre në fushën e matematikës.